Depozitat bankare të jorezidentëve arritën në 310 milionë euro në fund të 2025
Depozitat e individëve dhe kompanive jorezidente në bankat shqiptare arritën rreth 310 milionë euro në fund të vitit 2025.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, individët dhe kompanitë rezidente jashtë vendit kishin mbi 76 mijë llogari bankare në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, në rritje me 6 për qind krahasuar me një vit më parë. Rreth 97 për qind e këtyre llogarive i përkasin individëve. Vlera totale e depozitave të jorezidentëve arriti në rreth 30 miliardë lekë ose rreth 310 milionë euro, me një rritje të lehtë prej 1.3 për qind krahasuar me vitin 2024.
Ndikimi i kursit të këmbimit
Rritja e depozitave do të kishte qenë më e lartë nëse nuk do të ndikonte rënia e kursit të këmbimit të euros ndaj lekut, duke qenë se rreth 81 për qind e depozitave të jorezidentëve mbahen në valutë të huaj, kryesisht në euro.
Euro e mbylli vitin 2025 në nivelin 96.77 lekë, niveli më i ulët historik në fund të një viti kalendarik dhe pranë minimumit absolut të regjistruar në treg.
Lidhja me emigracionin dhe investimet
Historikisht, depozitat e jorezidentëve kanë qenë të lidhura kryesisht me emigrantët shqiptarë që mbajnë një pjesë të kursimeve të tyre në bankat vendase.
Pas një periudhe rënieje para pandemisë, depozitat e jorezidentëve kanë hyrë sërish në një trend rritës pas vitit 2022, të nxitura nga rritja e remitancave, emigracioni i ri dhe shtimi i investimeve të huaja, veçanërisht në pasuri të paluajtshme.
Megjithatë pesha e tyre në sistemin bankar mbetet e ulët, me rreth 1.6 për qind të totalit të depozitave, të cilat në fund të vitit 2025 arritën rreth 1.89 trilionë lekë.